2012-Maj-21 08.15.23.PD UTC
Tetovo, MK 13 °CMostly Cloudy - Lageshti: 82%

10 vite nga 2001, ku shkuan 500 milion eurot e Konferencës Donatore

Nga Administrator - Mar Maj 03, 10:20 am

Dhjetë vjet pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Maqedoni dhe në prag të zgjedhjeve të parakohshme janë nxitur debatet dhe pikëpyetjet se ku shkuan miliona eurot për revitalizimin e rajoneve të krizës dhe projektet e tjera për rikthim dhe zhvillim.

Mungesa e investimeve, mospërkrahja dhe zhvillimi ekonomiko-social, revitalizimi i improvizuar dhe papunësia e skajshme kërkojnë shpjegime dhe revizion se ku shkuan fondet e BE-së, SHBA-ve dhe vendeve tjera nga Konferenca Donatore e marsit të vitit 2002, për rajonet e krizës që dolën nga konflikti i vitit 2001 në Maqedoni.

Më 12 mars të vitit 2002 në Konferencën Ndërkombëtare Donatore në Bruksel, Maqedonia përfitoi mbi 500 milion euro për përmirësimin e gjendjes pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Nga këto fonde të përfituara, 307 milion euro ishin mjete financiare që menjëherë shkuan në llogarinë e shtetit, prej të cilave 185 milion ishin paraparë për mbështetjen e bilancit pagesor në buxhet, që do të thotë para për rroga, pagesa dhe mbulim të zbrastirave të buxhetit, 85 milion euro për rikonstruimin e objekteve të rrënuara nga lufta dhe 49 milion për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Qeveria e Maqedonisë atëherë në kërkesën e saj kishte kërkuar vetëm 50 milion euro për revitalizim dhe rindërtim, ndërsa 24,5 milion për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, mirëpo BE dhe SHBA-të dyfishuan buxhetin për këto dy çështje. Përveç kësaj, në Konferencën Donatore mbi 271 milion euro u siguruan për mbështetjen e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, të komunave, kryesisht të dëmtuara nga konflikti.

Qeveritë dhe institucionet në Maqedoni edhe dhjet vite më pas, por edhe zyrat e evroperëndimore nuk kërkuan asnjëherë llogari apo revizion të plotë lidhur me harxhimin e këtyre fondeve, sidomos 85 milion euro për revitalizimin dhe rindërtimin e zonave, 49 milion eurot për Marrëveshjen e Ohrit si dhe 271 milion euro për zhvillimin dhe revitalizimin ekonomik rajonal në Maqedoni, por që ishin paraparë me theks të veçantë zonat e goditura, ndër të cilat komuna e Likovës, e rrënuar në përmasa të mëdha, Haraçina, dhe vendbanime të rajonit të Pollogut që u përfshin drejtpërdrejt në konfliktin e vitit 2001.

Delegacioni i Shkupit kishte kërkuar më pak para

Në Konferencën donatore të 11 dhe 12 marsit të vitit 2002 ishin pjesëmarrës ish-kryeministri Lubço Georgievski, ministri i Financave, Nikolla Gruevski, kryeministër aktual i involvuar drejtpërdrejt në këto zhvillime si dhe ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Bedredin Ibrahimi.

Në kalkulimet dhe raportin e Qeverisë së Maqedoni në Bruksel, kërkoheshin 256 milion dollarë, prej të cilave 185 milion për mbulimin e defiçitit në bilansin pagesor dhe buxhet, 45 milion për revitalizim dhe rindërtim të dëmeve si dhe 25 milion dollarë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Këtij delegacioni, i`u premtua se një pjesë e vendeve të huaja, përveç donacioneve do të ofrojnë edhe ndihmë në formë të huadhënies dhe kredive tejet të volitshme. Delegacioni i Maqedonisë premtoi në Bruksel se do të realizojë në mënyrë transparente të gjitha mjetet e donacioneve.

Mirëpo, qeverisja e re e vitit 2002 vendosi zëvendëskryeministren Radmilla Sheqerinska për koordinatore të komitetit për ndihmat ndërkombëtare dhe mjetet nga konferenca donatore, në të cilin organ bënin pjesë edhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, Agjencia Evropiane për Rikonstruim. Ish-koordinatori i Bankës Botërore në Evropën Juglindore dhe përgjegjës për Maqedoninë pas konfliktit kishte kërkuar që vendet donatore të sigurojnë mekanizmat e tyre kontrolluese për të ndjekur harxhimin e parave.

Për çka u parapanë 49 milion euro për Marrëveshjen e Ohrit

Nga Konferenca Donatore vendet dhuruese u njoftuan dhe miratuan aneksin që 49 milion eurot për Marrëveshjen e Ohrit të harxhohen për decentralizimin, përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, përdorimin e gjuhëve, ndërtimin e mirëbesimit, stacionet policore në zonat e prekura nga konflikti. Por në këtë aspekt ishte lënë e hapur mundësia që donatorët të intervenojnë me mjete shtesë rreth çështjeve ku nevojitet përkrahja e realizimit të plotë të kësaj marrëveshje. (Naser Pajaziti/INA)

 

Ndiq Ditari.com në Twitter, Bashkou me ne në Facebook. Qëndroni me ne në RSS

Jep një Përgjigje