Përbërja aktuale e “filarmonisë” Qeverisë së RM-së
Nga Endrit - Hën Shk 20, 3:15 pm
Një matematikë e thjeshtë jep të dhënat se dhjetë ministrat e kabinetit aktual qeveritarë krijojnë shifrën prej 336 vjet, apo mesataren e 33,6 vjetëve, raporton “Zhurnal”.
Ndërsa, këtu “prishin” punë katër ministrat që janë më në moshë, me gjithsej 189 vjet apo mesatare 47.2 vjet. Dhe, analizuar më në detaje, mesatarja e ministrave në total e rrumbullakon shifrën 37 vjet.
Kështu, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Spiro Ristovski, është i lindur në vitin 1981 dhe ka 31 vjet. Po aq ka edhe Ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini i BDI-së, i shoqëruar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pance Kralev. Pason ministri i Shëndetësisë, Nikola Todorov, i lindur më 1979 me 33 vjet.
Edhe Ministri për Transport dhe Lidhje (MTL), Mile Janakievski, gjendet në këtë grup, i lindur më 1978, me 34 vjet, po aq sa edhe Ministri i Informatikës, Ivo Ivanovski.
Një vit më i moshuar rezulton Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Nikola Popovski, me 35 vjet.
Me nga 36 vjet rezultojnë ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, ai i Mbrojtjes Fatmir Besimi, si dhe i Drejtësisë Blerim Bexheti, që të dy të BDI-së, të lindur më 1976.
Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Lupço Dimovski, ai i Pushtetit Lokal Nevzat Bejta, janë në mesin e më të moshuarve me 53, respektivisht 51 vjet, ndërsa këtu rreshtohet edhe ministri i Financave Zoran Stavreski me 48 dhe ministrja e Kulturës Elizabeta Kancevska -Milevska me 42 vjet, pastaj ministri i Ekologjisë nga radhët e BDI-së, Abdilaqim Ademi me 43 vjet.
Ndërsa, vetë kryeministri i vendit Nikolla Gruevski është në moshë 42 vjeçare, njëherësh kryeministri më i ri në rajon. Tek ministrat shqiptarë, mosha e përgjithshme është 39,4 vjet. Pa Nevzat Bejtën, mosha e tyre arrin diku 36 vjet.
Te ministrat maqedonas, mosha e përgjithshme është 36,6 vjet. Pa llogaritur ministrin e tyre më të moshuar, mosha e tyre zbret në 34 vjet.
Ish ministra dhe deputetë në vend komentojnë se mosha e re e ministrave sa është veprim i mirë, po aq edhe handikap, sepse siç pohojnë, “do të përballen me guximin e marrjes së vendimeve të rëndësishme të cilat do të jenë në të mirë të vendit dhe në të mirë të qytetarëve”.
Sipas Slobodan Casule, kriteri kryesor për të emëruar një individ në një post shumë të rëndësishëm janë aftësitë e tij dhe jo vitet dhe se mosha e re “nuk do të thotë handikap për dikë”. /Telegrafi/
Ndiq Ditari.com në Twitter, Bashkou me ne në Facebook. Qëndroni me ne në RSS



